Home > Ballina > Pas 27 vitesh identifikohen tri viktima të “Grupit të Intelektualëve” në Zubin Potok

Pas 27 vitesh identifikohen tri viktima të “Grupit të Intelektualëve” në Zubin Potok

///
Comments are Off

Pas 27 vitesh pritjeje, janë konfirmuar përmes analizës së ADN-së identitetet e tri viktimave të luftës së Kosovës, të cilat i përkasin grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Mbetjet mortore ishin gjetur në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, i cili tha se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka pranuar tri raportet e para të ADN-së nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.

Sipas njoftimit, analizat kanë konfirmuar lidhjen e tri viktimave me “Grupin e Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999. Familjet e tri viktimave të identifikuara janë njoftuar nga përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Gërmimet në tri lokacione në Zubin Potok kishin përfunduar në gusht, duke rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore që vlerësohej se u përkisnin së paku 23 personave. Në Kalludër u gjetën mbetjet e së paku 13 personave në një lokacion dhe të gjashtë personave në një tjetër, ndërsa në Jabukë u gjetën mbetjet e së paku katër personave.

Autoritetet kishin theksuar se numri 23 përkonte me rastin e “Grupit të Intelektualëve”, por se vetëm analizat e ADN-së mund të konfirmonin identitetin e viktimave. Procesi i identifikimit të mbetjeve të tjera po vazhdon.

Kurti ka bërë të ditur se në ditët dhe javët e ardhshme priten rezultate të tjera të ADN-së, ndërsa institucionet do të vazhdojnë kërkimet dhe komunikimin me familjet e personave të zhdukur.

Verified by MonsterInsights