Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për unitet dhe koordinim institucional pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në një intervistë për RTK-në, Haxhiu ka thënë se në këtë periudhë Kosovës nuk i duhen përçarjet dhe akuzat e ndërsjella, por një qasje e përbashkët për hapat që duhet të ndërmerren më tej.
“Në këto momente të rënda, nuk na duhen përçarje, se kush qenka spiun e kush tradhtar. Ajo që na duhet është t’i lëmë anash ato dhe të koordinohemi për veprimet që duhet t’i bëjmë tutje”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, kjo çështje duhet të trajtohet me prioritet dhe veprimet e ardhshme duhet të jenë të koordinuara, në mënyrë që të mos rëndohet më tej pozita e Kosovës dhe e personave të dënuar në Hagë.
Haxhiu ka thënë se bashkëpunimi institucional është i domosdoshëm, ndërsa ka kritikuar edhe vendimin e PDK-së për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë.
Aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit u shpall më 16 shtator, ndërsa pas tij kanë nisur diskutimet për hapat e mëtejshëm, përfshirë procesin e apelimit.







