Asambleisti i Kuvendit Komunal të Obiliqit, Labinot Mirena, ka njoftuar dorëheqjen e parevokueshme nga të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mirena e ka lidhur vendimin e tij me qëndrimin e LDK-së ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke thënë se në këtë çështje ka dallime thelbësore me partinë.

“Nuk e pranoj dhe nuk pajtohem me qëndrimin e LDK-së ndaj krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Për mua, kjo nuk është vetëm çështje politike apo partiake, por çështje parimesh dhe bindjesh personale, mbi të cilat nuk mund të bëj kompromis”, ka deklaruar Mirena.

Ai ka theksuar se qëndrimi i partisë bie ndesh me vlerat dhe bindjet që ka përfaqësuar gjatë aktivitetit të tij politik.

Sipas Mirenës, dallimet për këtë çështje janë të tilla që nuk i mundësojnë atij të vazhdojë aktivitetin brenda LDK-së.

“Qëndrimi i LDK-së për këtë çështje bie ndesh me vlerat dhe bindjet që kam përfaqësuar dhe vazhdoj t’i përfaqësoj. Për këtë arsye, nuk mund të vazhdoj të jem pjesë e një subjekti politik me të cilin, në një çështje kaq të rëndësishme, kam dallime thelbësore”, ka thënë ai.

Dorëheqja vjen në të njëjtën ditë kur Kuvendi i Kosovës shqyrtoi në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Projektligji mori 91 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim.

Mirena ka bërë të ditur se largimi nga LDK-ja nuk nënkupton përfundimin e mandatit të tij në nivel komunal.

Ai do të vazhdojë të jetë pjesë e Kuvendit Komunal të Obiliqit, por tash si asambleist i pavarur.

“Mandatin tim në Kuvendin Komunal të Obiliqit do ta vazhdoj si asambleist i pavarur, me qëndrime të qarta dhe me përgjegjësi para qytetarëve të Obiliqit që më kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar”, ka deklaruar Mirena.

Vendimi i tij shënon një largim nga strukturat e LDK-së pikërisht në ditën kur debati politik për ndryshimet në Ligjin për Specialen është intensifikuar në Kuvend.