Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas kritikave ndaj ndryshimeve të miratuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke thënë se Kuvendi i Kosovës nuk ka nevojë të kërkojë pëlqimin e Gjykatës Speciale për ndryshimin e një ligji të miratuar nga vetë Kuvendi.
Gruda ka deklaruar se kushdo që ka dilema lidhur me kushtetutshmërinë e ndryshimeve mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“S’kemi nevojë ta pyesim Specialen për ndryshimin e ligjit”, ka deklaruar Gruda, duke mbrojtur kompetencën e institucioneve të Kosovës për procesin legjislativ.
Qëndrimi i tij vjen pasi Bashkimi Evropian shprehu shqetësim për ndryshimet, duke thënë se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe duke kërkuar respektimin e mandatit dhe pavarësisë së Dhomave të Specializuara.
Gruda ka mbajtur qëndrimin se ndryshimet nuk e cenojnë Kushtetutën dhe as detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Edhe gjatë prezantimit të projektligjit në Kuvend, ai kishte deklaruar se nisma synon t’ia kufizojë Speciales një pjesë të juridiksionit, pa e zhbërë institucionin.
Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara u miratuan përfundimisht nga Kuvendi më 6 tetor, pasi projektligji kishte kaluar fillimisht në Komisionin për Legjislacion dhe më pas në seancë plenare.
Debati tani është zhvendosur te përputhshmëria e ndryshimeve me Kushtetutën dhe detyrimet që Kosova ka marrë ndërkombëtarisht, çështje për të cilën Gruda thotë se institucioni kompetent për të dhënë vlerësim kushtetues është Gjykata Kushtetuese e Kosovës.




