Kryeministri Albin Kurti është takuar të enjten me presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, në takimin e parë mes tyre që nga marrja zyrtare e detyrës nga presidentja.

Pas takimit, Kurti ka thënë se mes tyre ka pasur zotim për punë të përbashkët dhe të përditshme në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Ai e ka falënderuar Shiroka-Pulën për pranimin e kandidaturës për presidente, duke theksuar se institucionet tani kanë përpara shumë punë dhe angazhime.

Kurti ka deklaruar se, pas një periudhe të gjatë të bllokadës politike, institucionet janë funksionalizuar dhe vendi nuk ka më kohë për të humbur.

“Nuk kemi kohë për të humbur”, ka thënë Kurti, duke shtuar se institucionet duhet të bëhen bashkë për sfidat shtetërore që e presin Kosovën.

Sipas tij, presidentja e re ka treguar mirëkuptim dhe gatishmëri për bashkërendim institucional në çështjet me interes për vendin.

Gjatë takimit janë prezantuar edhe ekipet e dy institucioneve. Kurti ka paralajmëruar se në ditët dhe javët e ardhshme Shiroka-Pula pritet të zhvillojë takime edhe me institucione të tjera shtetërore dhe me ministritë e Qeverisë.

Takimi zhvillohet një ditë pasi Shiroka-Pula mori zyrtarisht detyrën e presidentes së Kosovës, pas zgjedhjes së saj në Kuvend me 81 vota.