Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka paralajmëruar një fazë të re të veprimit opozitar ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, duke thënë se partia e tij nga sot do ta zhvendosë aktivitetin në terren.
Gjini fillimisht ka uruar Justina Shiroka-Pulën për marrjen e detyrës së presidentes së Kosovës.
Ai ka deklaruar se me përfundimin e bllokadës institucionale, përgjegjësia për qeverisjen tashmë u takon atyre që kanë marrë pushtetin.
Sipas Gjinit, Aleanca do të jetë çdo ditë në terren, duke zhvilluar takime me qytetarët në komunat e Kosovës dhe duke ngritur çështjet që i konsideron problematike në punën e institucioneve.
“Ne do të jemi opozitë e pakompromis”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka paralajmëruar se partia e tij do të reagojë publikisht ndaj çdo shkeljeje që pretendon se ndodh në institucionet e vendit dhe se nuk do të ketë më hapësirë për arsyetime nga pushteti.
Gjini ka thënë gjithashtu se Aleanca i ka qëndruar deri në fund ofertës dhe qëndrimeve të saj politike, duke përmendur edhe votën pro ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Sipas tij, partia nuk ka bërë pazare politike dhe angazhimi i saj në vazhdim do të përqendrohet te roli opozitar dhe kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarët.







