Është ndarë nga jeta Ali Ngucati, një nga luftëtarët e hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe bashkudhëtar i komandantit legjendar Adem Jashari.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur të premten, më 9 tetor, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili ka vlerësuar lart kontributin e Ngucatit në përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Sot Kosova humbi një nga shtyllat e saj më të forta”, ka shkruar Gucati në mesazhin e tij përkujtimor.

Ai e ka përshkruar Ngucatin si një luftëtar të orëve të para, që u dallua për trimëri, fisnikëri dhe përkushtim ndaj atdheut.

Kontributi i Ali Ngucatit lidhet me organizimet e hershme të rezistencës shqiptare. Në një dëshmi të mëhershme për veprimtarinë kombëtare, Elez Durmishi e kishte përmendur atë si pjesëtar të njësitit të Skenderajt në vitin 1991, si dhe pjesëmarrës në stërvitjet e organizuara në Drenicë gjatë vitit 1992.

Për ndarjen e tij nga jeta ka shprehur ngushëllime edhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari.

Në mesazhin e lamtumirës, Gucati ka theksuar se sakrifica dhe vepra e Ngucatit do të mbeten pjesë e kujtesës historike të Kosovës, duke shprehur mirënjohje për gjithçka që ai dha në shërbim të vendit.