Home > Ballina > 224 raste me fruth në Kosovë, 21 vetëm javën e fundit, mbi 95% e të infektuarve të pavaksinuar

224 raste me fruth në Kosovë, 21 vetëm javën e fundit, mbi 95% e të infektuarve të pavaksinuar

///
Comments are Off

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se numri i rasteve të konfirmuara me fruth në vend ka arritur në 224, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja.

Sipas të dhënave të publikuara të hënën, më 19 tetor, rastet janë evidentuar gjatë periudhës nga 16 prilli deri më 18 tetor 2026.

Shqetësuese mbetet përqindja e lartë e personave të pavaksinuar. IKSHPK-ja ka bërë të ditur se mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara janë regjistruar te personat që nuk e kanë marrë vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola.

Instituti u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurohen që ata t’i marrin vaksinat sipas kalendarit kombëtar të imunizimit.

Për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes, IKSHPK-ja ka intensifikuar edhe vaksinimin plotësues për fëmijët që, për arsye të ndryshme, nuk janë vaksinuar në kohën e paraparë.

Si rezultat i kësaj fushate, gjatë vitit 2026 janë vaksinuar mbi 3 mijë e 481 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç.

Numri i rasteve me fruth ka shënuar rritje gjatë javëve të fundit. Më 5 tetor ishin raportuar 186 raste, ndërsa më 12 tetor numri kishte arritur në 203. Me përditësimin e fundit, numri i përgjithshëm ka shkuar në 224.

Fruthi është një sëmundje virale shumë ngjitëse që përhapet përmes ajrit kur një person i infektuar merr frymë, kollitet ose teshtin.

Simptomat më të zakonshme përfshijnë temperaturën e lartë, kollën, rrjedhjen e hundëve, skuqjen e syve dhe shfaqjen e puçrrave të kuqe në lëkurë.

Sëmundja mund të shkaktojë komplikime serioze, përfshirë pneumoninë dhe inflamacionin e trurit, sidomos te fëmijët e vegjël dhe personat me imunitet të dobësuar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se vaksinimi është mënyra më efektive për parandalimin e fruthit, ndërsa dy doza të vaksinës sigurojnë mbrojtje shumë të lartë ndaj infeksionit.

IKSHPK-ja ka rikujtuar se vaksinimi i rregullt dhe ai plotësues janë thelbësorë për mbrojtjen e fëmijëve dhe kufizimin e përhapjes së sëmundjes në Kosovë.

Prindërit që nuk janë të sigurt për statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre këshillohen të konsultohen me mjekun familjar ose qendrën përkatëse të vaksinimit.

Verified by MonsterInsights