Pritjes për edicionin e pestë të “Big Brother VIP Kosova” po i vjen fundi. Spektakli do të rikthehet në ekran më 30 tetor 2026, datë kjo e konfirmuar përmes njoftimit të Klan Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur të premten, më 23 tetor, duke i dhënë fund pritjes së publikut që prej javësh ka kërkuar të mësojë se kur do të hapen dyert e shtëpisë më të komentuar në Kosovë.

Sezoni i pestë pritet të sjellë personazhe të rinj, surpriza dhe zhvillime të ndryshme gjatë qëndrimit të banorëve në shtëpi.

Pak para publikimit të datës, moderatori Alaudin Hamiti kishte paralajmëruar përmes një postimi në Instagram se gjatë ditës do të bëhej i ditur momenti i nisjes së spektaklit.

Përgatitjet për edicionin e ri kanë vazhduar gjatë javëve të fundit. Hamiti kishte konfirmuar më herët përfundimin e xhirimeve të materialeve promovuese, ndërsa producentja Olsa Muhameti kishte paralajmëruar se ky sezon synohej të fillonte më herët se ai i kaluar.

Një nga ndryshimet e këtij edicioni është mungesa e moderatores Jonida Vokshi, e cila kishte qenë pjesë e katër sezoneve të mëparshme dhe kishte konfirmuar largimin e saj nga formati.

Ndërkohë, emrat e plotë të personazheve që do të bëhen pjesë e “Big Brother VIP Kosova 5” ende nuk janë zbuluar zyrtarisht.

Me konfirmimin e datës së premierës, vëmendja tashmë është përqendruar te zbulimi i banorëve dhe risitë që produksioni ka përgatitur për edicionin e pestë.