Prokuroria Themelore në Pejë ka publikuar detaje të reja lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, 49-vjeçares që u vra mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë, duke konfirmuar se viktima kishte një urdhër mbrojtjeje gjashtëmujor dhe kishte kërkuar të kthehej në shtëpinë ku ndodhej djali i saj.
Sipas Prokurorisë, më 16 tetor 2026, Gjykata kishte nxjerrë një vendim që detyronte ish-bashkëshortin e Arlindës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për gjashtë muaj, i cili kishte hyrë menjëherë në fuqi.
Zbatimi i këtij urdhri dhe njoftimi i Gjykatës për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës.
Më 22 tetor, Arlinda i ishte drejtuar Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke shprehur pakënaqësi për trajtimin e rasteve të mëparshme dhe duke kërkuar zbatimin e vendimit gjyqësor.
Sipas njoftimit, prokurori kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm i saj në shtëpi mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e saj. Për këtë arsye, ishte kërkuar që ajo të qëndronte përkohësisht te vëllezërit.
Arlinda kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga Policia për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.
Ndërkohë, më 23 tetor, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të saj, me inicialet J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.
Mbrëmjen e 25 tetorit, Policia kishte njoftuar Prokurorinë për një tjetër rast të dyshuar të dhunës në familje. Në stacion ishin shoqëruar Arlinda dhe ish-bashkëshorti i saj, i cili ishte ndaluar për 48 orë.
Prokuroria ka bërë të ditur se viktimës i ishte ofruar strehimi në një qendër të sigurt, por ajo kishte kërkuar të kthehej në shtëpinë e saj, ku ndodheshin djali dhe pasuria e saj.
Rreth orës 21:00, Arlinda ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi. Vetëm pak minuta më vonë, Prokuroria ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda banesës.
Për vrasjen dyshohet kunati i saj, A.S., i cili, sipas njoftimit të Prokurorisë, vazhdonte të kërkohej nga Policia.
Prokuroria Themelore në Pejë ka deklaruar se ka iniciuar rast për të hetuar nëse veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve përgjegjës përbëjnë shkelje penale.
Ndërkohë, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar raport të detajuar për trajtimin institucional të rasteve të Arlinda Zekajt, përfshirë vlerësimin e rrezikut dhe masat e ndërmarra për mbrojtjen e saj.
Ende mbetet të sqarohet nëse urdhri gjyqësor dhe masat e planifikuara të sigurisë ishin zbatuar plotësisht. Përgjegjësia eventuale e zyrtarëve dhe personave të dyshuar mbetet objekt i hetimeve.






