Organizata për të drejtat e grave QIKA ka zhvilluar një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, të hënën, më 26 tetor, në shenjë revolte pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Aktivistet kanë vendosur në hyrje të objektit qeveritar një pankartë me mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën”, ndërsa shkallët e ndërtesës i kanë mbuluar me ngjyrë të kuqe, si simbol i jetëve të humbura dhe i përgjegjësisë që, sipas organizatës, duhet të mbajnë institucionet shtetërore.
Përfaqësuesja e QIKA-s, Blenda Asllani, ka deklaruar se Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, kishte ndjekur procedurat ligjore dhe kishte siguruar urdhër mbrojtjeje, por pavarësisht kësaj, nuk ishte arritur të parandalohej vrasja e saj.
Sipas Asllanit, rasti ngre pyetje serioze për funksionimin e mekanizmave shtetërorë të mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje.
Ajo ka kritikuar institucionet për mënyrën se si trajtohen denoncimet dhe kërcënimet ndaj grave, duke kërkuar që përgjegjësia të mos kufizohet vetëm te autori i dyshuar i krimit.
QIKA ka kërkuar hetimin e të gjitha hallkave institucionale dhe të zyrtarëve, veprimet apo mosveprimet e të cilëve mund të kenë ndikuar në dështimin për ta mbrojtur viktimën.
Përfaqësuesja e organizatës ka shpjeguar se ngjyra e kuqe e hedhur në shkallët e Qeverisë përfaqëson një akuzë simbolike ndaj institucioneve dhe një thirrje për llogaridhënie.
Aksioni vjen një ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila më 25 tetor u gjet pa shenja jete në shtëpinë e saj në Vitomiricë. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i cili është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.
Sipas informacioneve të bëra publike nga Prokuroria Themelore në Pejë, viktima kishte një urdhër mbrojtjeje gjashtëmujor, të lëshuar më 16 tetor. Më 22 tetor, ajo i ishte drejtuar Prokurorisë me shqetësime për trajtimin institucional të rasteve të saj.
Pas vrasjes, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar raport të detajuar për mënyrën se si institucionet kanë trajtuar denoncimet dhe kërkesat për mbrojtje të viktimës.
Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur gjithashtu se janë iniciuar hetime lidhur me pretendimet për veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve të përmendur nga Arlinda në parashtresën e saj.
Përgjegjësia eventuale e institucioneve dhe e zyrtarëve përkatës mbetet objekt i hetimeve, ndërsa QIKA kërkon që rasti të trajtohet me transparencë dhe llogaridhënie të plotë.






