Buron Ademi, nipi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, është angazhuar si asistent administrativ në kabinetin e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja.
Emri i Ademit figuron në faqen zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, në seksionin “Asistentët e Ministrit”, ku ai prezantohet me pozitën e asistentit administrativ.
Lidhja familjare ndërmjet Ademit dhe deputetit Bahtiri është bërë publike edhe më herët. Më 21 shtator 2025, Bahtiri kishte njoftuar për mbështetjen e tij ndaj nipit, i cili atëkohë kandidonte për Asamblenë Komunale të Vushtrrisë nga radhët e Vetëvendosjes.
Në një postim në Facebook, Bahtiri e kishte identifikuar Ademin si djalin e motrës së tij, duke bërë të ditur se, së bashku me Glauk Konjufcën, i kishte dhënë mbështetje në garën zgjedhore.
Ademi kishte kandiduar me numrin 29 në listën e Vetëvendosjes për Kuvendin Komunal të Vushtrrisë.
Punësimi i tij në kabinetin e ministrit Muja është bërë publik përmes një raportimi të publikuar më 27 tetor, ku është ngritur çështja e lidhjes familjare dhe politike të tij me deputetin Bahtiri.
Sipas këtij raportimi, gazetarët e VOX Kosova kanë tentuar të marrin qëndrimin e ministrit Armend Muja, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve.
Po ashtu, është raportuar se është kontaktuar edhe Agim Bahtiri, por biseda është ndërprerë pasi atij i është parashtruar pyetja për punësimin.
Në faqen zyrtare të Ministrisë konfirmohet pozita e Ademit, por nuk jepen hollësi për datën e emërimit, procedurën e përzgjedhjes, kriteret e rekrutimit apo kohëzgjatjen e angazhimit të tij.
Gjithashtu, nuk është siguruar dokumentacion që dëshmon se angazhimi i tij është bërë në kundërshtim me ligjin.
Rasti ngre pyetje për transparencën e emërimeve në kabinetet ministrore, veçanërisht kur të angazhuarit kanë lidhje familjare me zyrtarë të lartë politikë.
Mbetet të sqarohet nga Ministria e Bujqësisë se përmes cilës procedurë është angazhuar Ademi dhe nëse për këtë pozitë është zhvilluar proces konkurrues apo është përdorur ndonjë formë tjetër e lejuar e emërimit.






