Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Vendimi është marrë të martën, më 27 tetor, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë, nën dyshimin se Sylaj ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, kërkesa e Prokurorisë është aprovuar nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Selvije Morina Zejnaj.
Masa e paraburgimit llogaritet nga 25 tetori, në orën 20:00, dhe do të zgjasë deri më 24 nëntor 2026, në orën 20:00.
Palët kanë të drejtë të paraqesin ankesë kundër këtij aktvendimi brenda 48 orëve nga pranimi i tij. Ankesa duhet t’i drejtohet Gjykatës së Apelit përmes Gjykatës Themelore në Pejë.
Vendimi vjen pas dyshimeve se Jeton Sylaj nuk e kishte respektuar urdhrin e mbrojtjes të lëshuar më 16 tetor nga Gjykata Themelore në Pejë për Arlinda Zekajn.
Sipas Prokurorisë, më 25 tetor, rreth orës 17:58, në rrugën “Mon Dedushaj” në Vitomiricë, Sylaj dyshohet se kishte ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj saj, pavarësisht ndalimit gjyqësor.
Ai dyshohet se i ishte drejtuar Arlindës me fjalë kërcënuese, si dhe kishte marrë rrobat që ajo i kishte vendosur në rrobalarëse dhe i kishte hedhur në oborrin e shtëpisë.
Urdhri gjyqësor ia ndalonte ushtrimin e dhunës fizike dhe psikologjike, pengimin e lëvizjes, ofendimin, shqetësimin dhe kërcënimin e viktimës.
Vetëm disa orë pas incidentit të raportuar, Arlinda Zekaj u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i cili është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.
Jeton Sylaj nuk është identifikuar nga autoritetet si i dyshuari për kryerjen e vrasjes. Masa e paraburgimit ndaj tij lidhet me dyshimet për mosrespektimin e vendimit gjyqësor për mbrojtjen e Arlindës.
Ndërkohë, hetimet për vrasjen dhe për veprimet e mundshme të institucioneve që kishin trajtuar denoncimet e viktimës po vazhdojnë.
Caktimi i paraburgimit nuk nënkupton shpalljen fajtor të Jeton Sylajt, i cili prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.






