Partia Socialiste e Serbisë (SPS), e themeluar nga Sllobodan Millosheviqi në vitin 1990, po përballet me humbjen më të rëndë zgjedhore në historinë e saj. Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, partia e udhëhequr nga Ivica Daçiqi nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor prej 3 për qind, duke mbetur pa asnjë mandat në Kuvendin e Serbisë.

Të dhënat e Komisionit Republikan Zgjedhor të Serbisë tregojnë se lista “Ivica Daçiq, Faktori i Stabilitetit” ka siguruar 93 mijë e 280 vota, përkatësisht 2.17 për qind të totalit, rezultat që e lë SPS-në jashtë parlamentit për herë të parë që nga themelimi i saj, nëse konfirmohet edhe në rezultatet përfundimtare.

Ky rezultat shënon një kthesë për partinë që dikur dominonte politikën serbe dhe ishte në pushtet gjatë luftërave në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Socialistët, të cilët për më shumë se dy dekada drejtohen nga Ivica Daçiqi, kanë qenë gjithashtu partnerë të vazhdueshëm të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit që nga viti 2012.

Humbja e tyre vjen në një moment ndryshimesh të mëdha politike në Serbi, ku Lista Studentore ka fituar 52.71 për qind të votave, duke siguruar 140 mandate sipas rezultateve paraprake, ndërsa koalicioni i Vuçiqit ka marrë 39.17 për qind.

Pas publikimit të rezultateve, Daçiqi pranoi se partia e tij nuk kishte arritur objektivin zgjedhor. Ai e cilësoi rezultatin si një betejë të humbur, duke argumentuar se gara ishte zhvilluar në një atmosferë të ngjashme me referendumin, ku votuesit ishin përqendruar kryesisht te dy listat më të mëdha.

Rënia e mbështetjes për socialistët nuk është fenomen i ri.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012, SPS-ja kishte siguruar afro 570 mijë vota, ndërsa në vitin 2014 mori mbi 480 mijë. Në zgjedhjet e vitit 2023, numri kishte rënë në rreth 250 mijë vota, për të zbritur këtë vit në pak më shumë se 93 mijë.

Partia Socialiste e Serbisë u formua në korrik të vitit 1990, përmes bashkimit të strukturave të ish-Lidhjes së Komunistëve të Serbisë dhe Lidhjes Socialiste të Popullit Punues.

Nën udhëheqjen e Millosheviqit, ajo fitoi 194 mandate në zgjedhjet e para shumëpartiake të vitit 1990 dhe u shndërrua në forcën kryesore politike të vendit.

SPS-ja i mbijetoi rrëzimit të regjimit të Millosheviqit në tetor të vitit 2000. Pas vdekjes së tij në Hagë në vitin 2006, drejtimin e partisë e mori Ivica Daçiqi, i cili arriti ta rikthente atë në pushtet përmes marrëveshjeve të koalicionit.

Megjithatë, përpara zgjedhjeve të fundit, partia u përball edhe me përçarje të brendshme.

Ish-nënkryetari Branko Ruzhiq u përjashtua në fund të gushtit, pasi kishte mbështetur publikisht protestat studentore. Ndërkohë, në tetor, SPS-në e braktisi edhe Boris Milliqeviq, pas 16 vjetësh anëtarësi.

Mill i qeviq e kishte kritikuar udhëheqjen për qëndrimin ndaj protestave dhe orientimin politik të partisë, ndërsa politologu Dushko Radosavleviq ka vlerësuar se socialistët nuk arritën të përshtateshin me ndryshimet në shoqërinë serbe.

Partia ka ruajtur tradicionalisht lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, ndërsa Daçiqi ka qenë një nga përfaqësuesit më të zëshëm të këtyre qëndrimeve në politikën e jashtme serbe.

Rezultati i zgjedhjeve të 25 tetorit shënon kështu një goditje të rëndë për partinë e themeluar nga Millosheviqi, e cila për 36 vjet arriti të mbijetonte në skenën parlamentare serbe pavarësisht ndryshimeve të pushtetit.

Rezultatet mbeten paraprake, ndërsa konfirmimi përfundimtar i përbërjes së re parlamentare pritet nga autoritetet zgjedhore të Serbisë.