Togeri i Policisë së Kosovës në Pejë, Faruk Muqolli, është suspenduar nga detyra lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Lajmi për suspendimin e tij është bërë i ditur të enjten, më 29 tetor, pas publikimit të audioincizimeve të bisedave ndërmjet Muqollit dhe Arlinda Zekajt, ku viktima dëgjohet duke kërkuar ndihmë dhe zbatimin e urdhrit gjyqësor për mbrojtjen e saj.

Në incizimin e publikuar nga emisioni hulumtues “MAT”, Arlinda i shpreh togerit shqetësimin për sigurinë e saj dhe gjendjen e djalit, duke pretenduar se institucionet nuk kishin ndërmarrë veprimet e nevojshme.

“Faruk, unë jam lodhë, duhet me zbatu aktvendimin, kaq shumë e thjeshtë është”, dëgjohet duke thënë Arlinda.

Në përgjigje, Muqolli dëgjohet duke i thënë se edhe zyrtarët policorë janë lodhur nga situata.

“Edhe na jemi lodh”, është një nga deklaratat e tij të publikuara në incizim.

Gjatë së njëjtës bisedë, Muqolli i kishte thënë Arlindës se nuk ishte i obliguar të merrej vazhdimisht me të dhe se nuk do ta pranonte më.

Audioincizimet kanë nxitur reagime të shumta publike, ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet për të verifikuar mënyrën se si ishin trajtuar denoncimet e viktimës.

Sipas IPK-së, hetimet përfshijnë komunikimin e zyrtarëve policorë me Arlindën, kohën e reagimit dhe veprimet apo mosveprimet eventuale gjatë trajtimit të kërkesave të saj.

Ndërkohë, gjatë ditës është raportuar edhe për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë nga rajoni i Pejës, përfshirë zyrtarë të strukturës komanduese.

Në mesin e emrave të përmendur në raportime janë edhe drejtori rajonal i Policisë në Pejë, Agron Hasanaj, si dhe komandanti i stacionit policor, Faik Jahmurataj. Megjithatë, për këto masa ende nuk është siguruar konfirmim i plotë përmes një vendimi zyrtar të publikuar.

Suspendimi i Faruk Muqollit vjen në ditën kur Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar edhe kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale, pasi ajo kishte raportuar kërcënime dhe kishte kërkuar mbrojtje përpara se të vritej.

Suspendimi i togerit është masë administrative dhe nuk nënkupton përcaktim përfundimtar të përgjegjësisë disiplinore apo penale. Hetimet për veprimet e zyrtarëve përgjegjës po vazhdojnë.