Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka reaguar ashpër ndaj ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pasi dy ministrat kanë deklaruar se dorëheqja e tyre nuk do të kontribuonte në përmirësimin e situatës pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Përmes një reagimi në Facebook, Lushaku ka thënë se dorëheqja nuk do ta kthente në jetë Arlindën, por do të përbënte marrje të përgjegjësisë politike për dështimin e institucioneve për ta mbrojtur atë.

“Dy ministra sot na thanë se dorëheqja e tyre nuk do të përmirësonte asgjë! Dorëheqja nuk e kthen Arlindën, e as pamjen e vrasjes me sëpatë në sytë e djalit. Po, dorëheqja është përgjegjësia për dështimin e shtetit, në këtë rast pushtetit, që nuk arriti ta mbrojë Arlindën me gjithë aparatin shtetëror në dorë!”, ka shkruar ajo.

Lushaku i është drejtuar pushtetit me pyetjen se si mund të vazhdojë ta mbajë përgjegjësinë qeverisëse kur dështimet institucionale përfundojnë me humbje jete.

“Qysh po mendoni se mund ta mbani pushtetin edhe kur dështimi i pushtetit kushton jetë njerëzish?!”, ka shkruar deputetja.

Ajo ka paralajmëruar gjithashtu se mungesa e përgjegjësisë nga drejtuesit e institucioneve, kur humbet jeta e një gruaje, përcjell një mesazh të rëndë për gratë e tjera që mund të përballen me dhunë dhe kërcënime.

Reagimi i Lushakut vjen pas konferencës së përbashkët të Gërvallës dhe Sveçlës, më 30 tetor, ku u prezantuan gjetjet nga raportet për trajtimin institucional të rastit të Arlinda Zekajt.

Ndërkohë, kërkesat për dorëheqjen e dy ministrave kanë vazhduar edhe gjatë protestave në Prishtinë, ku qytetarët dhe aktivistët po kërkojnë drejtësi për Arlindën dhe përgjegjësi për zyrtarët që kanë trajtuar rastin e saj para vrasjes më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.