Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe të dielën pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë, me rastin e 64-vjetorit të lindjes së tij.

Haradinaj ka vlerësuar lart figurën dhe kontributin e Pajazitit në organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e cilësuar atë si një nga themeluesit dhe komandantët e shquar të saj.

“Komandant Zahir Pajaziti i përket brezit të parë të UÇK-së. Ai ishte një nga themeluesit e saj dhe njëkohësisht një komandant i shquar. Sot, në ditëlindjen e tij, kujtojmë një hero që, me plot kuptimin e fjalës, na nderon. Gëzuar ditëlindjen, heroi ynë!”, deklaroi Haradinaj.

Zahir Pajaziti u lind më 1 nëntor 1962, në fshatin Turuqicë të Podujevës. Ai njihet si një ndër figurat kryesore të organizimit të hershëm të rezistencës së armatosur kundër forcave serbe në Kosovë.

Pajaziti ra dëshmor më 31 janar 1997, në Pestovë të Vushtrrisë, së bashku me bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Për kontributin e tij në luftën për lirinë e Kosovës, më 31 janar 2008, ish-presidenti Fatmir Sejdiu e dekoroi me Urdhrin “Hero i Kosovës”.

Me rastin e 64-vjetorit të lindjes së tij, Komuna e Podujevës, në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, kishte organizuar gjithashtu aktivitete përkujtimore në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti”, në Orllan.