Avokati Haxhi Millaku, i cili mbron Adnon Jasharin, të akuzuar për vrasjen e Diana Kastratit, ka kritikuar ashpër mënyrën e zhvillimit të procedurave gjyqësore, duke pretenduar se i janë cenuar të drejtat e mbrojtjes.

Gjatë seancës së mbajtur të martën, më 10 nëntor, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Millaku deklaroi se nuk i është mundësuar qasja në shkresat e lëndës, megjithëse, sipas tij, autorizimin për përfaqësimin e Jasharit e kishte dorëzuar që në vitin 2011.

Ai tha se organet e ndjekjes kishin qenë në dijeni të përfaqësimit ligjor që nga fillimi i procedurave, por nuk e kishin përfshirë në veprimet hetimore të zhvilluara para ngritjes së aktakuzës.

Sipas avokatit, kjo mënyrë e veprimit përbën cenim të të drejtave kushtetuese dhe procedurale të mbrojtjes.

Millaku ka shprehur pakënaqësi edhe për mënyrën se si është informuar për mbajtjen e gjykimit, duke deklaruar se për datën e seancës kishte mësuar përmes mediave.

“Gjithçka mund të quhet, por jo drejtësi”, deklaroi ai gjatë seancës.

Avokati kërkoi ndërprerjen e shqyrtimit gjyqësor dhe caktimin e një afati të arsyeshëm për t’u pajisur me dokumentacionin dhe për të përgatitur mbrojtjen.

Nga ana tjetër, prokurorja Fatmire Cacaj kundërshtoi pretendimet e tij, duke deklaruar se shkresat e lëndës i ishin dorëzuar që në prill të vitit 2026 avokates Ardita Berisha, e cila ishte caktuar më herët për mbrojtjen e të akuzuarit.

Sipas prokurores, Millaku kishte pasur mundësi të interesohej për dokumentacionin gjatë kësaj periudhe.

Pas dëgjimit të palëve, gjyqtarja Sulltane Hoti miratoi kërkesën e mbrojtjes dhe vendosi shtyrjen e seancës për më 23 dhjetor 2026, në orën 09:00.

Gjykata obligoi gjithashtu Prokurorinë që t’ia dorëzojë avokatit shkresat e lëndës.

Adnon Jashari akuzohet për vrasjen e rëndë të Diana Kastratit, e cila u vra më 18 maj 2011 në Prishtinë, në moshën 27-vjeçare.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë për gjykim në mungesë më 22 tetor 2026, pasi Jashari vazhdon të jetë në arrati.

Policia e Kosovës më 6 nëntor kërkoi ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e tij.

Rasti kishte nxitur reagime të shumta publike, pasi Diana Kastrati kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga institucionet para vrasjes, por kërkesa e saj nuk ishte trajtuar me kohë.

Gjykimi ndaj Jasharit mbetet i papërfunduar dhe ai prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të vërtetohet me vendim të formës së prerë.