Nelson Hysa ka sonte mundësinë t’ia sjellë Shqipërisë për herë të parë titullin e botës të WBC-së në peshat e rënda. Në Ditën e Flamurit, boksieri 42-vjeçar nga Shkodra përballet në stadiumin “Merkur Spiel-Arena” të Dyseldorfit me gjermanin Agit Kabayel, i cili e mbron për herë të parë brezin e kampionit.
Dueli transmetohet drejtpërdrejt në DAZN. Për tifozët në Kosovë dhe Shqipëri, koha për t’u lidhur me transmetimin është ora 22:30. DAZN e parashikon meçin kryesor rreth kësaj ore, ndërsa në udhëzuesin për shikuesit e vendos hyrjen e boksierëve në ring rreth orës 23:00. Orari mund të lëvizë në varësi të kohëzgjatjes së meçeve paraprake.
Hysa kaloi në boksin profesionist në vitin 2022, në moshën 37-vjeçare. Që atëherë i ka fituar të 25 meçet, 23 prej tyre me nokaut. Në gusht, në Londër, shkodranit i mjaftuan dy raunde për ta mposhtur norvegjezin Thomas Narmo dhe për ta mbrojtur titullin WBO Global. Sonte bokson për herë të parë për titullin botëror të WBC-së.
Edhe Kabayel hyn në ring pa humbje. Gjermani 34-vjeçar ka 27 fitore, 19 me nokaut. Në shkurt të vitit 2025, ai mposhti kinezin Zhilei Zhang në raundin e gjashtë dhe fitoi titullin e përkohshëm të WBC-së. Pas fitores ndaj polakut Damian Knyba në janar, Kabayel u shpall kampion bote në qershor, kur titulli mbeti i lirë. Hysa është sfiduesi i tij i parë.






