Qytetari nga Mitrovica, Fetah Bahtiri, a ka kujtuar ndeshjen e zhvilluar më 26 qershor të vitit 1988, ku klubi i futbollit “Trepça” e ka mposhtur atë të “Zemunit me rezultat 5:1.
Në grupin “Mitrovicasit nga Kosova dhe Diaspora” në Facebook, ai e ka shpërndarë një përshkrim rreth kësaj ndeshje të cilën e ka shkruar në ditarin e tij origjinal, njofton Klan Kosova.
“Më datë 27 qershor 1988 në ditarin tim paskam shkruar: Dje pas dite isha për ta shikuar ndeshjen futbollistike ndërmjet ‘Trepçës’ dhe ‘Zemunit’ nga Zemuni, e vlefshme për kualifikimet për Ligën e Dytë Unike Futbollistike të Jugosllavisë. Ndeshjen e parë ‘Trepça’ e ka humbur me rezultat 2:0, jo sipas lojës, por me meritat e referit Joviq nga Spliti”.
“Kësaj radhe refer qe Atif Lipovac nga Zagrebi. Ekstra refer! I shkëlqyeshëm! ‘Trepça’ fitoi me rezultat 5:1. Golin e parë e shënoi Marjan Zefi, alo e majtë, porsa filloi loja, brenda 7 – 8 sekondave. Ja si ndodhi: Topin nga qendra e nisi Mishko Stoliq, ia pasoi Prekazit (Rafetit). Ky menjëherë me pasim të gjatë në të majtë e gjeti Zefin. Zefi e mori topin nja 25 metra larg portës dhe hyri në gjashtëmbëdhjetë-metërsh rrufeshëm dhe me shut preciz tundi rrjetin e Bukuricës”.
“Në stadium – erupcion i vërtetë i nja 15 000 shikuesve. ‘Trepça’ luajti me këtë formacion: AHMATOVIQ – HAMZA, LYTA – R. PREKAZI, TURKU, IDRIZI – STOLIQ, GUCATI. V. AJETI, SH. AJETI dhe ZEFI. Sh. Ajetin e zëvendësoi PLAKIQI, kurse V. Ajetin HASANI. Porsa u krye ndeshja filloi një rrebesh shiu. Nuk u strehova fare. U bëra qull deri në stacion të autobusit. Aty hipa në autobus dhe erdha në shtëpi”.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS
klankosova.tv
The post Si e kujton një mitrovicas ndeshjen që “Trepça” e fitoi nga “Zemuni” 5 me 1? appeared first on Klan Kosova.