Një ditë para mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ish-deputetja dhe nënkryetarja e Degës së LDK-së në Vushtrri, Rrezarta Krasniqi, ka bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme, duke vlerësuar se vetëm një proces demokratik mund ta rikthejë partinë në rrugën e suksesit.
Përmes një reagimi publik, Krasniqi ka theksuar se rezultatet e fundit zgjedhore kanë treguar nevojën për reflektim dhe ndryshim brenda partisë. Sipas saj, Kuvendi i Jashtëzakonshëm duhet të shënojë fillimin e një procesi të ri, transparent dhe demokratik, i cili do të rikthejë besimin e anëtarësisë dhe do ta përgatisë LDK-në për sfidat politike që e presin në të ardhmen.
Ajo ka theksuar se LDK nuk i përket asnjë individi, por është një subjekt politik i ndërtuar ndër vite nga kontributi i shumë brezave. Për këtë arsye, sipas Krasniqit, e ardhmja e partisë duhet të vendoset nga anëtarësia dhe jo nga interesa personale apo grupe të caktuara.
“LDK-ja nuk është pronë e askujt. Ajo është shtëpia jonë e përbashkët politike, e ndërtuar me sakrificën dhe përkushtimin e shumë brezave. E ardhmja e saj duhet të vendoset nga ata që e mbajnë gjallë çdo ditë me punën, besimin dhe votën e tyre”, është shprehur ajo në reagimin e saj.
Krasniqi ka sqaruar se qëndrimi i saj nuk është i motivuar nga interesa personale apo kundër individëve të caktuar, por është një thirrje për një LDK më të bashkuar, më demokratike dhe më të fortë. Sipas saj, partia duhet të krijojë hapësirë që secili anëtar të ketë mundësi të ecë përpara falë punës, meritës dhe besimit që gëzon te anëtarësia.
Ajo ka shtuar se ndryshimi është i domosdoshëm nëse LDK synon të rikthehet si një alternativë fituese në skenën politike të Kosovës. Në vlerësimin e saj, një proces i drejtë zgjedhor brenda partisë do të ishte hapi i parë drejt ringritjes dhe forcimit të saj.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së është paralajmëruar të mbahet të enjten në orën 18:00 dhe pritet të jetë një nga zhvillimet më të rëndësishme politike për partinë, në një kohë kur brenda saj janë shtuar kërkesat për reforma dhe riorganizim pas rezultateve të fundit zgjedhore.







