Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka publikuar raportin preliminar lidhur me viktimat e luftës, ku janë paraqitur të dhëna për numrin e personave që humbën jetën gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Sipas raportit, gjatë luftës në Kosovë janë vrarë gjithsej 12 mijë e 230 persona, të dhëna që janë mbledhur përmes procesit të dokumentimit dhe verifikimit të rasteve nga institucionet përgjegjëse.
Raporti paraqet një pasqyrë fillestare të punës së bërë për identifikimin dhe dokumentimin e viktimave, ndërsa Instituti ka theksuar se procesi i hulumtimit do të vazhdojë edhe më tej me qëllim të plotësimit dhe saktësimit të të dhënave.
Dokumentimi i krimeve dhe i viktimave të luftës është një prej prioriteteve kryesore të Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i cili ka mandat të mbledhë, analizojë dhe ruajë të dhëna historike, juridike dhe mjekoligjore për ngjarjet e luftës.
Nga Instituti është bërë e ditur se puna për krijimin e databazave të viktimave, masakrave dhe varrezave masive po zhvillohet përmes një procesi të centralizuar dhe të verifikuar institucional.
Publikimi i raportit preliminar vjen si pjesë e përpjekjeve për të ruajtur kujtesën historike dhe për të ofruar një bazë të dokumentuar mbi pasojat njerëzore të luftës në Kosovë.
Institucionet kanë bërë të ditur se lista dhe të dhënat do të vazhdojnë të përditësohen me informacionet e reja që mund të dalin gjatë procesit të hulumtimit dhe verifikimit.







