Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj katër të akuzuarve në rastin e njohur si “Toka 2”, duke i dënuar ata me gjithsej 32 vjet burgim, 230 mijë euro gjobë dhe duke urdhëruar konfiskimin e rreth 36 hektarëve tokë që konsiderohen se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Të dënuarit në këtë rast janë Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Sipas aktgjykimit, Mehmet Prishtina është dënuar me 10 vjet burgim dhe 100 mijë euro gjobë. Dukagjin Emërllahu dhe Nexharije Hoti janë dënuar me nga 8 vjet burgim, ndërsa Emërllahu është gjobitur me 80 mijë euro dhe Hoti me 20 mijë euro. Avni Maxhuni është dënuar me 6 vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë.
Gjykata ka vendosur gjithashtu konfiskimin e 45 ngastrave kadastrale, që përfshijnë rreth 36 hektarë tokë, si dhe mjeteve financiare në llogaritë e Mehmet Prishtinës dhe Dukagjin Emërllahut. Sipas trupit gjykues, të akuzuarit kishin krijuar një mekanizëm të organizuar për përfitim të kundërligjshëm përmes regjistrimit dhe bartjes së pronave në mënyrë të paligjshme.
Në arsyetimin e aktgjykimit, gjyqtari Vesel Ismaili deklaroi se veprimet e të akuzuarve nuk ishin të rastësishme, por të koordinuara dhe të planifikuara për të krijuar bazë juridike të rreme, me qëllim përfitimin e pronave me vlerë të konsiderueshme. Sipas gjykatës, secili prej të dënuarve kishte rol të caktuar në realizimin e skemës kriminale.
Megjithatë, për veprën penale të shpëlarjes së parave, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu dhe Avni Maxhuni janë liruar nga akuza, pasi gjykata vlerësoi se nuk ishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm kryerja e kësaj vepre penale.
Rasti “Toka 2” lidhet me tjetërsimin e pronave në komunat e Prishtinës dhe Graçanicës gjatë periudhës 2009–2014. Sipas Prokurorisë, përmes dokumenteve dhe vendimeve të falsifikuara ishte mundësuar bartja e pronësisë mbi dhjetëra parcela tokësore me vlerë të lartë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Aktgjykimi nuk është ende i formës së prerë dhe palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, e cila do të vendosë përfundimisht lidhur me këtë çështje.







