Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Pogradecit, ku një 32-vjeçar ka humbur jetën pasi është mbytur në ujërat e liqenit.

Sipas informacioneve paraprake, i riu ndodhej në një varkë rreth 150 metra larg bregut, së bashku me persona të tjerë, kur në rrethana ende të paqarta ka përfunduar në ujë.

Dyshohet se 32-vjeçari ka hyrë në liqen për t’u larë, por pak momente më pas ka hasur vështirësi dhe nuk ka arritur të dalë në sipërfaqe.

Menjëherë pas njoftimit për ngjarjen, në vendngjarje kanë dalë ekipet e emergjencës dhe strukturat e kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur operacionin për gjetjen e tij.

Kërkimet në liqen po zhvillohen me vështirësi për shkak të kushteve në zonën ku dyshohet se ka ndodhur ngjarja. Ekipet po vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe nxjerrjen e trupit nga uji.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike dhe për të përcaktuar saktësisht se si ka ndodhur mbytja.