Një aksident i rëndë trafiku ka përfunduar me fatalitet në fshatin Janiqisht të Malishevës, ku ka humbur jetën drejtuesi i një motoçiklete.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur më 10 gusht, rreth orës 15:50. Në aksident janë përfshirë një motoçikletë dhe një veturë civile.

Nga të dhënat fillestare të policisë, dyshohet se drejtuesi i motoçikletës ka kaluar në krahun e kundërt të rrugës dhe më pas është përplasur me pjesën ballore të veturës.

Pas përplasjes, të dy drejtuesit, të cilët janë meshkuj kosovarë, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.

Megjithatë, gjendja e drejtuesit të motoçikletës ka qenë e rëndë. Gjatë orëve të para të 11 gushtit, rreth orës 01:50, mjeku kujdestar ka konfirmuar se ai ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra në aksident.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Rasti është marrë nën hetim nga organet kompetente, të cilat po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet që çuan deri te ky aksident fatal.