Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar lidhur me debatin e fundit për qumështin dhe produktet vendore, duke kërkuar që kjo çështje të trajtohet mbi bazën e analizave dhe fakteve dhe jo përmes përplasjeve politike.

AKB ka shprehur shqetësimin se, sipas saj, deklaratat dhe fushatat politike po ndikojnë në besimin e qytetarëve ndaj qumështit dhe produkteve të prodhuara në Kosovë.

Në reagimin e saj, Aleanca ka kërkuar që çdo produkt që nuk i plotëson standardet të trajtohet dhe ndëshkohet në mënyrë individuale, pa u përfshirë në këtë proces e gjithë industria vendore e qumështit.

“Qumështi vendor duhet të gjykohet me analiza dhe fakte, jo me politikë”, thuhet në reagimin e AKB-së.

Sipas kësaj organizate, kontrollet duhet të jenë të njëjta, transparente dhe të zbatohen pa dallim si për produktet vendore, ashtu edhe për ato të importuara.

AKB ka bërë thirrje që fermerët dhe prodhuesit kosovarë të mos dëmtohen për shkak të debateve politike, duke kërkuar që çdo pretendim për cilësinë apo sigurinë e produkteve të mbështetet në rezultate konkrete të analizave.

“Mos e dëmtoni fermerin dhe prodhuesin kosovar për interesa politike. Politika le të luftojë me argumente, jo me ‘Made in Kosovo’”, thuhet më tej në reagimin e AKB-së.

Debati për produktet e qumështit ka marrë vëmendje të madhe ditët e fundit, ndërsa AKB ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të kryejnë kontrolle profesionale dhe të bëjnë publike rezultatet, në mënyrë që konsumatorët të kenë informacion të saktë dhe prodhuesit të vlerësohen mbi bazën e fakteve.