Lëvizja Vetëvendosje po këmbëngul se vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës duhet të lidhet me arritjen e një marrëveshjeje politike mes partive për zgjedhjen e presidentit.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka deklaruar se seanca e radhës do të thirret sapo të arrihet një marrëveshje për zgjidhjen e krizës institucionale.

Sipas Deharit, nuk ka kuptim që deputetët të mblidhen në seancë vetëm për të përsëritur një proces që nuk prodhon rezultat. Ai ka argumentuar se qytetarët janë të interesuar për një zgjidhje të krizës dhe jo për zhvillimin e seancave pa një rezultat konkret.

Dehari ka thënë gjithashtu se tejkalimi i afateve nuk shoqërohet me sanksione, duke vlerësuar se kjo nuk mund të konsiderohet automatikisht si shkelje e Kushtetutës apo Rregullores së Kuvendit.

“Seanca e radhës do të thirret sapo të ketë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës”, ka deklaruar Dehari, duke përsëritur qëndrimin se një marrëveshje politike për presidentin do t’i hapte rrugë edhe funksionalizimit të institucioneve të tjera.

Ai ka përmendur edhe situatën e krijuar më 28 dhjetor, kur sipas tij janë mbajtur dhjetëra seanca pa arritur rezultat përfundimtar. Për këtë arsye, Dehari ka argumentuar se përsëritja e seancave pa një dakordim paraprak nuk do ta zgjidhte situatën.

Të njëjtin qëndrim e ka shprehur edhe deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Kërçeli. Ai ka thënë se partia e tij është në pritje të takimeve me subjektet politike për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për pozitat institucionale.

Kërçeli ka deklaruar se aktualisht nuk është në dijeni për një tentim të ri për takim mes liderëve të partive politike, ndërsa ka theksuar nevojën për një dakordim që do të mundësonte zgjidhjen e krizës.

Ndërkohë, një ditë më parë, nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, kishte bërë të ditur se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të tentojë sërish të takohet me liderët e partive opozitare.

Situata vazhdon të mbetet e bllokuar, ndërsa partitë politike kanë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit dhe funksionalizimit të institucioneve të vendit.