Dogana e Kosovës ka njoftuar për kufijtë sasiorë të produkteve të duhanit që udhëtarët mund t’i fusin në Kosovë pa paguar detyrime doganore, për sa kohë që ato janë për përdorim personal.

Sipas njoftimit, një udhëtar mund të bartë deri në 200 cigare pa doganë. Alternativisht, lejohet futja e 100 cigarillove, me kusht që secili të mos peshojë më shumë se tre gramë.

Përveç cigareve dhe cigarillove, udhëtarët mund të përfitojnë nga lirimi doganor edhe për produkte të tjera të duhanit.

Konkretisht, lejohet bartja e deri në 50 purove ose 50 gramë duhan për tymosje. Dogana sqaron se mund të lejohet edhe një kombinim proporcional i këtyre produkteve, në përputhje me rregullat në fuqi.

Këto kufizime vlejnë për mallrat që janë të destinuara vetëm për përdorim personal dhe nuk kanë karakter tregtar.

Dogana e Kosovës u ka bërë thirrje udhëtarëve që të informohen paraprakisht për rregullat doganore dhe t’i respektojnë kufijtë e përcaktuar gjatë hyrjes në vend.

Mosrespektimi i dispozitave doganore mund të sjellë detyrime dhe procedura përkatëse nga autoritetet doganore.