Pesë objekte të ndërtuara pa leje në pronë publike, në afërsi të Liqenit të Radoniqit, janë rrënuar të mërkurën nga Inspektorati Mjedisor. Aksioni është ndërmarrë me qëllim të mbrojtjes së pronës publike dhe hapësirave natyrore.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e cila tha se institucionet do të vazhdojnë me aksione të ngjashme në pjesë të ndryshme të Kosovës.
Pacolli ka theksuar se ndërhyrja në zonën e Liqenit të Radoniqit është bërë për të mbrojtur pronat publike dhe hapësirat natyrore nga ndërtimet pa leje.
Sipas saj, synimi i institucioneve është rikthimi i ligjshmërisë dhe mbrojtja e pasurive publike, përfshirë pronat ujore dhe burimet e ujit të pijshëm.
“Do të vazhdojmë me aksione të tilla për të vendosur ligjshmëri në çdo cep të Kosovës”, ka deklaruar Pacolli, duke paralajmëruar se aksionet do të shtrihen edhe në zona të tjera.
Rrënimi i objekteve në Radoniqit vjen pas aksioneve të ngjashme të zhvilluara gjatë muajve të fundit në afërsi të Liqenit të Ujmanit. Në ato aksione, sipas Pacollit, deri në fund të korrikut ishin rrënuar 17 objekte dhe ishte paralajmëruar vazhdimi i operacioneve.
Institucionet kanë deklaruar se këto ndërhyrje synojnë të parandalojnë uzurpimin dhe ndërtimet e paligjshme në pronat publike, veçanërisht në zonat përreth liqeneve dhe burimeve ujore.
Aksioni në Radoniqit është pjesë e përpjekjeve të Inspektoratit Mjedisor për zbatimin e masave ndaj ndërtimeve pa leje dhe mbrojtjen e hapësirave me rëndësi publike dhe natyrore.






