Gazetari Besnik Tahiri, në “Kosova Today” në Klan Kosova, ka komentuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Ozkan Ulutash, dhe çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.

Tahiri tha se Serbia ndodhet në prag të zgjedhjeve dhe se deklaratat e Vuçiqit duhet të shihen edhe në funksion të konsumit të brendshëm politik.

“Serbia është në pikun e fushatës zgjedhore. Pas dy-tri javësh presidenti aktual jep dorëheqje dhe, natyrisht, targeti kryesor i tij është komandanti i KFOR-it, gjenerali Ozkan Ulutas, i cili është kthyer në një farë forme në ‘armikun numër një’ të Beogradit zyrtar. Kjo për faktin se ai ka treguar më herët çështjet operacionale dhe vendimin e NATO-s për optimizimin e pranisë në krejt Kosovën, duke përfshirë edhe pikën më nevralgjike që e ka Kosova tash e 27 vjet – Urën e Ibrit”, tha Tahiri.

Duke folur për hapjen eventuale të urës, ai theksoi se procesi nuk duhet të politizohet dhe se vendimi duhet të jetë i koordinuar ndërmjet institucioneve ndërkombëtare dhe atyre të Kosovës.

“Hapja e Urës së Ibrit duhet të jetë proces kolektiv. Nuk i përket një partie politike apo një personi në pushtet, iu përket më së pari qytetarëve të Mitrovicës. Këto janë çështje mes NATO-s, Bashkimit Evropian dhe institucioneve të Kosovës. NATO e ka kryer pjesën e saj. Tash gjithçka varet nga Brukseli”, u shpreh Tahiri.