Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prizren kanë konfirmuar raportimin e Sinjalit për aksionin e zhvilluar në Prizren, ku janë arrestuar tre persona të dyshuar për fajde. Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë pas intervistimit.
Operacioni është zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda dhe Prokurorinë Themelore në Prizren.
Sipas Policisë, tre të dyshuarit dyshohet se kanë qenë të përfshirë në veprën penale “fajde”, ndërsa hetimet ndaj tyre janë zhvilluar për një periudhë të caktuar.
Bëhet fjalë për Fadil Selimin, Beqir Selimin dhe Arsim Doganin, të cilët u arrestuan gjatë operacionit të zhvilluar në disa lokacione në komunën e Prizrenit.
Njëri prej të dyshuarve, Beqir Selimi, përveç fajdesë, dyshohet edhe për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “aksident trafiku me lëndime”.
Sipas Policisë, gjatë tentimit për t’iu shmangur arrestimit, ai dyshohet se me veturë ka goditur një zyrtar policor dhe një qytetare 17-vjeçare, duke i shkaktuar lëndime.
Autoritetet dyshojnë se të arrestuarit kanë ushtruar në vazhdimësi presion ndaj një viktime, me qëllim të përfitimit të interesit përmes fajdesë dhe duke e detyruar atë të veprojë në dëm të pasurisë së tij.
Si pasojë e veprimeve të dyshuara, viktimës dyshohet se i janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Gjatë aksionit janë kontrolluar tri lokacione në komunën e Prizrenit, ndërsa Policia ka sekuestruar dëshmi të ndryshme materiale që pritet të përdoren në procedurën penale.
Operacioni vjen pas raportimit ekskluziv të Sinjalit për aksionin kundër fajdesë në Prizren, ndërsa autoritetet tashmë kanë konfirmuar detajet e ndërhyrjes dhe ndalimin e tre të dyshuarve.
Të dyshuarit do të përballen me procedurat e mëtejshme ligjore, ndërsa për masat e ardhshme ndaj tyre do të vendoset nga organet kompetente.
Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.






