Në fshatin Kalludër të Vogël të Zubin Potokut po vazhdojnë gërmimet në një lokacion ku dyshohet për ekzistencën e një varreze masive, ndërsa autoritetet kanë gjetur mbetje mortore me origjinë njerëzore dhe interes forenzik.

Dyshimet kryesore lidhen me fatin e 23 shqiptarëve nga Mitrovica, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën më 19 prill 1999. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ky ka qenë dyshimi fillestar i institucioneve pas zbulimit të mbetjeve, por ka theksuar se identiteti i viktimave duhet të konfirmohet nga organet kompetente.

Gërmimet në Kalludër po zhvillohen në terren të vështirë dhe autoritetet kanë paralajmëruar se procesi mund të zgjasë me muaj. Sipas Kurtit, mbetjet janë të shpërndara dhe ndodhen pranë një përroi, duke e bërë më të ndërlikuar punën e ekipeve në terren.

Instituti i Mjekësisë Ligjore ka konfirmuar paraprakisht se mbetjet e gjetura janë njerëzore dhe kanë interes mjeko-ligjor. Ekipet e IML-së, së bashku me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, sektorët përkatës të Policisë dhe komponentën e EULEX-it, po punojnë për dokumentimin dhe ekzaminimin e tyre.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë gërmimeve janë gjetur edhe mbetje eshtërore të tre individëve, të cilat sipas ekspertit mjeko-ligjor janë me prejardhje njerëzore dhe me interes forenzik. Autoritetet dyshojnë se ato mund t’u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

Hetimet dhe gërmimet po vazhdojnë, ndërsa autoritetet pritet të kryejnë ekzaminimet e nevojshme për të përcaktuar identitetin e personave dhe rrethanat e vdekjes së tyre.