252 efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë janë angazhuar në terren për përballimin e zjarreve që kanë përfshirë disa zona të vendit.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka bërë të ditur se gjatë natës operacionet kanë vijuar në Milot, Pukë dhe Vlorë, në mbështetje të komuniteteve dhe strukturave vendore.
Nga 9 vatra aktive, dy paraqiten më problematike: zona mes Gojanit dhe Gjegjanit në Pukë dhe zjarri në malin e Dukatit. Në Gojan po ndërhyhet edhe nga ajri me tre helikopterë, ndërsa në Dukat janë angazhuar 40 efektivë dhe dy avionë Air Tractor.
Në Gojan janë kryer edhe evakuime të banorëve që jetojnë pranë vatrave të zjarrit, ndërsa në Dukat autoritetet thonë se aktualisht nuk ka rrezik për banesat.







