Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka kritikuar Qeverinë për mungesë reagimi dhe mbikëqyrjeje pas vdekjes së dy punëtorëve të KEK-ut brenda pak ditësh.
Tahiri tha se vdekjet e punëtorëve në një ndërmarrje publike nën kontrollin e shtetit janë “dëshmi e një dështimi institucional”, duke kërkuar veprime konkrete nga institucionet përgjegjëse.
Ai kërkoi inspektime të plota dhe të pavarura, identifikimin dhe eliminimin e rreziqeve në vendet e punës, rritjen e masave të sigurisë dhe mbështetjen financiare për familjet e viktimave.
Sipas raportimeve, vdekja e Arbenit Ahmetit më 20 gusht ishte rasti i katërt fatal i një punëtori të KEK-ut gjatë këtij viti. Bordi i KEK-ut ka njoftuar ndërkohë se do të themelojë një Task Forcë për Sigurinë Industriale dhe Shëndetin në Punë, me përfshirjen edhe të ekspertëve të jashtëm.







