Një operacion i policisë në Durrës ka goditur një rast të dyshuar të trafikimit ndërkombëtar të kanabisit nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
Në Portin e Durrësit janë sekuestruar rreth 80 kilogramë kanabis i llojit “Gelato”, i ndarë në 127 pako dhe me përmbajtje të lartë THC. Vlera e lëndës narkotike në treg përllogaritet në rreth 1 milion euro.
Në kuadër të operacionit “Anchor” janë arrestuar tre shtetas kosovarë, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas hetimeve, droga dyshohet se sigurohej në Ontario të Kanadasë dhe transportohej drejt Shqipërisë e fshehur në një hapësirë të modifikuar të një automjeti.
Pas mbërritjes në Shqipëri, lënda narkotike dyshohet se do të shpërndahej në Shqipëri dhe Kosovë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe 3 automjete, 5 telefona celularë dhe rreth 11 mijë euro cash. Hetimet për personat e tjerë të dyshuar vijojnë.







