Një dron i dyshuar si turk ka hyrë të premten në hapësirën ajrore greke pranë Aleksandrupolit, duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të Forcave Ajrore të Greqisë. Dy avionë luftarakë F-16 u ngritën për ta identifikuar dhe interceptuar dronin.
Sipas raportimeve, droni fluturoi mbi detin mes Samothrakës dhe Limnos, ndërsa në një moment iu afrua edhe pistës së aeroportit të Aleksandrupolit. Në atë kohë, një avion pasagjerësh i Aegean Airlines po përgatitej të ngrihej.
Për arsye sigurie, avioni i pasagjerëve u udhëzua të ndiqte një itinerar alternativ dhe të qëndronte në lartësi të ulët derisa zona të pastrohej. Më pas, fluturimi vazhdoi normalisht drejt Athinës.
Një burim ushtarak grek e cilësoi incidentin si jo serioz, ndërsa ngjarja ndodh në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes Greqisë dhe Turqisë në Egje.







