Gjykata e Apelit e Kosovës ka ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke liruar nga akuzat katër persona që më herët ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje.
Bëhet fjalë për Ragip Begajn, Bajram Hasanin, Bashkim Krasniqin dhe Malë Krasniqin. Gjykata e shkallës së parë i kishte dënuar me burgim për këtë vepër penale.
Sipas aktgjykimit të Themelores, Ragip Begaj dhe Bajram Hasani ishin dënuar me nga dy vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa Bashkim Krasniqi dhe Malë Krasniqi me nga dy vjet burgim.
Pas ankesave të mbrojtjes, rasti është shqyrtuar nga Gjykata e Apelit, e cila ka vlerësuar se në shkallën e parë gjendja faktike ishte vërtetuar gabimisht.
Apeli ka konstatuar se provat e administruara gjatë procesit gjyqësor nuk e kanë dëshmuar se katër të akuzuarit e kishin kryer veprën penale për të cilën ishin shpallur fajtorë. Për këtë arsye, ankesat e mbrojtësve janë aprovuar dhe ata janë liruar nga akuzat.
Në të njëjtin vendim, Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale sa i përket pjesës liruese të aktgjykimit për Faton Thaqin, Malë Krasniqin, Nazmi Kafexhollin dhe Ahmet Rrahmanajn.
Këta persona ishin akuzuar për vepra të ndryshme penale, përfshirë keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, mashtrim dhe shpëlarje të parave. Apeli ka lënë në fuqi pjesën liruese, duke vlerësuar se provat e administruara nuk mjaftonin për të dëshmuar kryerjen e veprave penale për të cilat akuzoheshin.
Ndërkohë, procedura penale ndaj Hajdin Berishës është pushuar për shkak të vdekjes së tij gjatë zhvillimit të procedurës.
Vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë përmes aktgjykimit APS.nr.12/2025, me të cilin është ndryshuar pjesërisht aktgjykimi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.







