Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka caktuar 9 shtatorin, në orën 11:00, si datë për vazhdimin e seancës së ndërprerë të legjislaturës së re. Vendimi vjen pas marrëveshjes së arritur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Dehari e ka vlerësuar marrëveshjen politike mes dy subjekteve si zhvillim pozitiv, por ka bërë të ditur se ende nuk është e qartë nëse ekziston numri i mjaftueshëm i deputetëve për të mundësuar konstituimin e plotë të institucioneve të vendit.
Megjithatë, ai ka vendosur që të mos presë më gjatë dhe ta thërrasë seancën për javën e ardhshme, duke u dhënë palëve kohë që deri atëherë të sigurojnë mbështetjen e nevojshme dhe të konkretizojnë marrëveshjen politike.
Kryesuesi i seancës ka kërkuar nga deputetët që ta shoqërojnë marrëveshjen me përgjegjësi konkrete dhe gatishmëri për përmbushjen e detyrimeve të tyre kushtetuese.
Seanca e 9 shtatorit pritet të jetë një moment i rëndësishëm për tejkalimin e ngërçit institucional, pasi në rend dite është paraparë vazhdimi i procedurave për konstituimin e Kuvendit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Kriza institucionale është zgjatur për shkak të pamundësisë për të përfunduar konstituimin e Kuvendit pas zgjedhjeve. Në seancat e mëparshme, Albin Kurti kishte kërkuar kohë shtesë për zhvillimin e bisedimeve politike me partitë parlamentare, me synim shmangien e zgjedhjeve të reja.
Tash, pas marrëveshjes së fundit ndërmjet VV-së dhe LDK-së, vëmendja është zhvendosur te sigurimi i votave dhe zbatimi konkret i dakordimit politik.
Dehari ka bërë të qartë se Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje të procesit, krizë të re politike apo rikthim te zgjedhjet, duke u bërë thirrje deputetëve që të marrin përgjegjësinë për funksionalizimin e institucioneve.







