Home > Uncategorized > Isufaj: Aktakuza për Prekazin, hap i rëndësishëm për drejtësinë

Isufaj: Aktakuza për Prekazin, hap i rëndësishëm për drejtësinë

///
Comments are Off

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzën lidhur me vrasjen e civilëve shqiptarë të familjes Jashari në Prekaz të Skenderajt.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e ka cilësuar ngritjen e aktakuzës si një hap të rëndësishëm në përmbushjen e mandatit ligjor të institucionit që drejton.

Sipas Isufajt, kjo është aktakuza e parë që lidhet me vrasjen e civilëve të familjes Jashari në Prekaz.

Ai ka thënë se aktakuza është rezultat i një pune profesionale dhe të bazuar në prova, ndërsa tash i takon gjykatës që ta vlerësojë atë dhe provat e paraqitura.

Isufaj ka theksuar se Prokuroria Speciale ka punuar me kujdes të shtuar për të siguruar që pretendimet e ngritura në aktakuzë të provohen para gjykatës.

Sipas tij, rëndësia e këtij rasti qëndron edhe në përkushtimin për trajtimin e krimeve të luftës dhe kërkimin e përgjegjësisë penale, pavarësisht kompleksitetit të rasteve dhe kohës së gjatë që ka kaluar nga kryerja e tyre.

Kryeprokurori ka veçuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar të Prokurorisë Speciale, duke përmendur partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Europolin dhe Eurojustin.

Tashmë, vlerësimi i aktakuzës dhe provave të paraqitura i takon gjykatës, e cila duhet të vendosë në përputhje me ligjin dhe standardet e një gjykimi të drejtë.

Verified by MonsterInsights