Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka kërkuar që Komisioni Evropian këtë vjeshtë të nisë përgatitjen e Opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Zulfaj këtë kërkesë e ka bërë në Dublin, gjatë një takimi të ministrave të Çështjeve Evropiane, ku është diskutuar edhe zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet kandidate dhe potencialisht kandidate.
Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës presin që edhe BE-ja ta bëjë pjesën e saj në procesin e integrimit dhe ka kërkuar që aplikimi i Kosovës të ecë përpara mbi bazën e meritës.
Sipas Zulfajt, Kosova nuk po kërkon ndonjë rrugë të shkurtër apo procedurë të përshpejtuar për anëtarësim, por një proces të rregullt dhe të bazuar në merita.
Kosova e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022. Zulfaj ka theksuar se që atëherë kanë kaluar pothuajse katër vjet pa pasur përparim konkret në këtë proces.
Ai ka përmendur edhe angazhimet e Kosovës në përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Sipas tij, Qeveria në detyrë është përafruar me 55 vendimet më të fundit të Këshillit të BE-së dhe deklaratat e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, duke ruajtur 100 për qind përputhshmëri me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë.
Zulfaj ka theksuar gjithashtu se Kosova i është bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë dhe se vendi, sipas tij, po vazhdon të avancojë në demokraci, sundim të ligjit dhe siguri.
“Këtë vjeshtë, Komisioni Evropian duhet të ftohet të përgatisë Opinionin për aplikimin tonë dhe të lejohet që procesi të vazhdojë mbi bazën e meritës”, ka deklaruar Zulfaj.
Gjatë fjalimit, ai ka ngritur edhe çështjen e Serbisë, duke kritikuar pritjen me nderime ushtarake të trupit të Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid. Zulfaj e ka cilësuar këtë veprim si të gabuar dhe ka kërkuar që për këtë çështje të ketë reagim.
Në agjendën e takimit në Dublin kanë qenë edhe zgjerimi i BE-së, Korniza Financiare Shumëvjeçare për periudhën 2028–2034 dhe forcimi i qëndrueshmërisë demokratike të Bashkimit Evropian.
Kosova ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Sipas kuadrit të zgjerimit, statusi kandidat nuk nënkupton automatikisht anëtarësimin, ndërsa hapja e negociatave kërkon vendime të mëtejshme në nivel të Bashkimit Evropian.
Në këtë fazë, Zulfaj kërkon që aplikimi i Kosovës të kalojë në hapin e radhës dhe që vlerësimi nga Komisioni Evropian të nisë gjatë kësaj vjeshte.







