Home > Lajme > Apeli rrëzon dënimet në rastin “Veteranët”, Agim Çeku dhe nëntë të tjerë lirohen nga akuza

Apeli rrëzon dënimet në rastin “Veteranët”, Agim Çeku dhe nëntë të tjerë lirohen nga akuza

///
Comments are Off

Gjykata e Apelit e Kosovës ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin e njohur si “Veteranët”, duke liruar nga akuza Agim Çekun dhe nëntë të akuzuar të tjerë, të cilët në shkallën e parë ishin dënuar me nga një vit burgim.

Nga akuza janë liruar Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari. Sipas Apelit, nuk është provuar se ata e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin.

Kolegji penal i Departamentit Special të Apelit aprovoi ankesat e mbrojtjes dhe ndryshoi vendimin e shkallës së parë, me të cilin dhjetë të akuzuarit ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje.

Ndërkohë, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj, të cilët ishin liruar nga akuza që në shkallën e parë, mbeten të liruar pasi Apeli refuzoi si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale për këtë pjesë të aktgjykimit.

Rasti lidhet me procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të veteranëve dhe kategorive të tjera të dala nga lufta e UÇK-së. Prokuroria pretendonte se gjatë këtij procesi ishte keqpërdorur autoriteti zyrtar dhe se buxhetit të Kosovës i ishte shkaktuar dëm prej dhjetëra milionë eurosh.

Verified by MonsterInsights