Forca e Sigurisë së Kosovës ka nderuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në shenjë përkujtimi, flamujt janë ulur në gjysmë shtizë në të gjitha kazermat e FSK-së, si shenjë solidariteti me popullin amerikan dhe familjet e viktimave.
FSK-ja ka theksuar se përmes këtij akti përkujton të gjithë personat që humbën jetën në sulmet e 11 Shtatorit, si dhe ata që u përballën me pasojat e tyre.
“Populli i Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës qëndrojnë përherë në krah të popullit amerikan, miqve dhe partnerëve tanë strategjikë, duke ndarë dhimbjen në ditët e vështira dhe duke festuar së bashku në ditët e gëzimit”, thuhet në deklaratën e FSK-së.
FSK-ja ritheksoi se miqësia dhe solidariteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të palëkundura.







