Home > Lajme > “Sot ranë maskat”, Musliu-Shoshi me akuza ndaj Vetëvendosjes pas zhvillimeve në Kuvend

“Sot ranë maskat”, Musliu-Shoshi me akuza ndaj Vetëvendosjes pas zhvillimeve në Kuvend

///
Comments are Off

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke drejtuar akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

Përmes një reagimi publik, Musliu-Shoshi deklaroi se “sot ranë maskat”, duke kritikuar qëndrimin e deputetëve të LVV-së gjatë procesit për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

Reagimi i saj vjen pasi kandidatja e PDK-së për nënkryetare, Vlora Çitaku, nuk mori votat e nevojshme. Deputetët e Vetëvendosjes nuk e mbështetën kandidaturën e saj, ndërsa më pas Grupi Parlamentar i PDK-së u largua nga salla.

Musliu-Shoshi ka akuzuar Vetëvendosjen për standarde të dyfishta, duke iu referuar faktit se deputetët e PDK-së më herët votuan kandidatin e LVV-së për nënkryetar, Ardian Gola.

Gola u zgjodh nënkryetar me 101 vota për, ndërsa procesi ngeci te kandidatura e PDK-së.

Pas zhvillimeve në sallë, seanca konstituive u ndërpre. Zgjedhja e nënkryetarëve vazhdon të jetë një nga çështjet që po pengon përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Verified by MonsterInsights