Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka marrë vendim për suspendimin nga detyra të kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores Arlinda Nallbani-Gacaferri, pas zhvillimeve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Vendimi është marrë të enjten, më 29 tetor, gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të KPK-së, e cila ishte thirrur për të shqyrtuar veprimet institucionale në trajtimin e rasteve që Arlinda kishte raportuar përpara vrasjes së saj.

Sipas raportimeve nga mbledhja, anëtarët e KPK-së kanë votuar unanimisht për suspendimin, ndërsa pritet të formohen panele hetimore për shqyrtimin e përgjegjësive të mundshme disiplinore.

Suspendimi i dy prokuroreve erdhi pas rekomandimit të Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, i cili kishte iniciuar procedurat përkatëse në bazë të gjetjeve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Gashi kishte konfirmuar më herët se kishte kërkuar suspendimin e Lumturije Vuçetajt dhe Arlinda Nallbani-Gacaferrit, e cila ushtronte edhe detyrën e koordinatores për rastet e dhunës në familje në Prokurorinë Themelore në Pejë.

Vendimi lidhet me shqetësimet për mënyrën se si janë trajtuar denoncimet dhe kërkesat për mbrojtje të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në shtëpinë e saj në Vitomiricë.

Më 22 tetor, vetëm tri ditë para vrasjes, Arlinda i kishte dërguar një shkresë kryeprokurores Vuçetaj, përmes së cilës kishte shprehur shqetësimin për sigurinë e saj dhe kishte kërkuar ndërhyrje urgjente.

Pas vrasjes, Kryeprokurori i Shtetit kishte kërkuar një raport të detajuar për të gjitha veprimet e ndërmarra nga Prokuroria e Pejës, përfshirë trajtimin e denoncimeve, vlerësimin e rrezikut dhe masat e kërkuara për mbrojtjen e viktimës.

Në kuadër të këtyre veprimeve, tri lëndë penale që lidhen me rastin e Arlindës janë ricaktuar nga Prokuroria Themelore në Pejë në atë të Prishtinës, me qëllim sigurimin e një trajtimi të paanshëm.

Pas suspendimit të Vuçetajt, Këshilli Prokurorial ka caktuar prokuroren Valbona Haxhosaj ushtruese të detyrës së kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë.

Ndërkohë, Inspektorati Policor i Kosovës po shqyrton veprimet dhe mosveprimet e mundshme të zyrtarëve policorë që kishin trajtuar denoncimet e Arlinda Zekajt.

Suspendimi i dy prokuroreve është masë e ndërmarrë në kuadër të procedurave disiplinore dhe nuk përbën konstatim përfundimtar të fajësisë apo përgjegjësisë penale. Përgjegjësitë eventuale do të përcaktohen nga organet kompetente pas përfundimit të procedurave.