Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka komentuar protestat që po zhvillohen në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, gjatë të cilave qytetarët dhe aktivistët po kërkojnë dorëheqjen e saj dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në konferencën e përbashkët për media, të mbajtur të premten, më 30 tetor, Gërvalla deklaroi se protestat nuk i sheh si kundërshtim ndaj saj dhe ministrave, por si shprehje solidariteti me viktimën dhe kërkesë për përgjegjësi institucionale.
“Protestuesit nuk janë kundër nesh, janë me Arlindën”, deklaroi Gërvalla.
Deklarata e ministres vjen në kohën kur protestuesit kanë kërkuar publikisht largimin e saj dhe të Sveçlës nga detyra. Përveç dorëheqjeve, organizatorët kanë kërkuar hetimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve që dyshohet se kanë dështuar në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.
E pyetur për dorëheqjen, Gërvalla tha se do ta ndërmerrte një veprim të tillë nëse do të besonte se largimi i saj do të ndihmonte në identifikimin më të shpejtë dhe më të saktë të përgjegjësive institucionale.
Ajo kërkoi që t’i mundësohet vazhdimi i punës për identifikimin e lëshimeve dhe përcaktimin e përgjegjësive në këtë rast.
Konferenca u mbajt pasi Zyra e Kryeministrit pranoi raportet nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me trajtimin institucional të rastit.
Ndërkohë, protestat kanë vazhduar për të tretën ditë radhazi. Të premten në mëngjes, protestuesit u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar që dy ministrat të dilnin para tyre dhe të jepnin përgjigje për veprimet që do të ndërmerren.
Protestat nisën pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj, më 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës. Rasti ka nxitur kërkesa për llogaridhënie, pasi viktima kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun që i kanosej.






