Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim në Hagë deri në shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ku akuzohet së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin e Thaçit, duke vendosur vazhdimin e masës së paraburgimit. Ky është vendimi i 27-të për vazhdimin e paraburgimit ndaj ish-presidentit.
Në vendimin e datës 10 gusht, gjyqtarët kanë vlerësuar se nuk ka informacion të mjaftueshëm për të konstatuar se Thaçi do t’i shmangej drejtësisë nëse do të lirohej.
Megjithatë, Trupi Gjykues ka konstatuar se vazhdon të ekzistojë një rrezik i mjaftueshëm që ai, në rast lirimi, të mund të pengojë zhvillimin e procedurave gjyqësore ose të ndikojë te dëshmitarët. Sipas vendimit, ky rrezik lidhet edhe me mundësinë e ndërhyrjes në proces dhe kryerjes së veprave të tjera ndaj personave që mund të perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi në këtë rast.
Ndërkohë, aktgjykimi për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin pritet të shpallet më 16 shtator 2026 në Hagë.
Në të njëjtin vendim, kryegjyqtari Charles Smith ka urdhëruar që palët të mos dorëzojnë më parashtresa lidhur me rishikimin e ardhshëm të paraburgimit të Thaçit, i cili sipas afateve ishte planifikuar për 9 tetor 2026.
Gjykata ka vlerësuar se ky shqyrtim nuk është më i nevojshëm në këtë fazë, duke pasur parasysh se aktgjykimi është caktuar të shpallet më 16 shtator.
Procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë. Prokuroria i akuzon ata për një sërë veprash penale që, sipas aktakuzës, lidhen me periudhën e luftës dhe pasluftës në Kosovë. Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë mohuar akuzat ndaj tyre.






