Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kundërshtuar vendimin për tranzicionin gradual të pranisë së KFOR-it nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
KFOR-i njoftoi se ka nisur këtë proces pas vlerësimit se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar. Sipas misionit të udhëhequr nga NATO, bëhet fjalë për optimizim të pozicionimit dhe jo për largim të plotë nga veriu i Kosovës.
Vuçiq ka deklaruar se për zhvillimet në urën e Ibrit do të bisedojë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilloviq.
Duke folur për televizionin shtetëror serb RTS, presidenti serb ka pretenduar se KFOR-i kishte planifikuar hapjen e urës për qarkullim dhe se Beogradi kishte reaguar kundër një veprimi të tillë.
Vuçiq ka vazhduar edhe me akuzat e tij të mëparshme ndaj institucioneve të Kosovës, duke pretenduar se serbët në Kosovë po përballen me maltretime, arrestime dhe dhunë. Këto pretendime ai i ka bërë pa paraqitur prova konkrete për deklaratat e tij.
Në anën tjetër, KFOR-i ka theksuar se procesi i tranzicionit do të jetë gradual, i bazuar në kushte dhe i koordinuar me institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
Misioni i NATO-s ka bërë të ditur gjithashtu se do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në jug dhe veri të Mitrovicës, si dhe në pjesë të tjera të veriut të Kosovës, me qëllim të ruajtjes së një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet.
Ndërkohë, Lista Serbe ka kundërshtuar zvogëlimin e pranisë së KFOR-it në urën e Ibrit dhe ka kërkuar takim urgjent me komandantin e misionit, duke e cilësuar praninë e trupave ndërkombëtare si faktor stabiliteti në atë zonë.
Zhvillimi i fundit vjen pas 27 vitesh të pranisë së përhershme të KFOR-it në urën kryesore mbi Ibër, ndërsa përgjegjësitë për sigurinë po kalojnë gradualisht te institucionet e Kosovës.






