Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka ngritur kritika të ashpra ndaj Qeverisë në detyrë, duke vlerësuar se vendimet e miratuara më 12 gusht cenojnë seriozisht rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës.

Sipas IKD-së, problemi qëndron në faktin se një pjesë e anëtarëve të Qeverisë në detyrë tashmë janë zgjedhur deputetë, por kanë vazhduar të ushtrojnë funksionet ekzekutive pa dhënë dorëheqje nga postet qeveritare.

Instituti i referohet nenit 72 të Kushtetutës, i cili përcakton se një deputet i Kuvendit nuk mund të mbajë post ekzekutiv apo të ushtrojë një funksion tjetër ekzekutiv. Sipas IKD-së, kjo krijon një papajtueshmëri të drejtpërdrejtë mes mandatit të deputetit dhe ushtrimit të kompetencave qeveritare.

IKD përmend edhe nenin 26 të Ligjit për Qeverinë, duke argumentuar se anëtarët e Qeverisë në detyrë të cilët janë zgjedhur deputetë është dashur të japin dorëheqje nga postet qeveritare para certifikimit të rezultateve.

Megjithatë, sipas institutit, më 12 gusht Qeveria në detyrë zhvilloi një mbledhje elektronike dhe miratoi një numër vendimesh që kanë pasoja juridike, institucionale, pronësore dhe buxhetore.

Në mesin e këtyre vendimeve përmenden qiradhënia e pronës publike deri në vitin 2033, procedura të shpronësimit dhe ndarje të mjeteve financiare. IKD vlerëson se këto veprime shkojnë përtej administrimit të zakonshëm të një qeverie në detyrë.

Kritikat e institutit janë edhe më të forta sa i përket vendimeve për krijimin e komisioneve të pranimit për pozita të larta drejtuese në institucione publike.

Sipas IKD-së, neni 31 i Ligjit për Qeverinë e ndalon një qeveri në dorëheqje që të iniciojë procedura të reja për emërime në pozita publike kur kompetenca për emërim i takon asaj. Për këtë arsye, krijimi i komisioneve të pranimit, sipas institutit, mund të jetë në kundërshtim me kufizimet ligjore.

IKD ka ngritur dyshime se këto procedura mund të ndikojnë në përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të rëndësishme, përfshirë Thesarin e Kosovës, Agjencinë Qendrore të Prokurimit, Agjencinë për Siguri Kibernetike, Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas dhe Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.

Instituti thekson se këto pozita kanë rëndësi të veçantë për administrimin e financave publike, prokurimin, sigurinë, drejtësinë dhe pasurinë shtetërore, ndaj çdo ndërhyrje në procedurat e përzgjedhjes mund të ketë pasoja afatgjata institucionale.

IKD i është referuar edhe një vendimi të Gjykatës Supreme të 15 korrikut 2025, kur një udhëzim administrativ i Ministrisë së Financave ishte shfuqizuar, ndër të tjera, për shkak se ishte nxjerrë nga një person që pas certifikimit të rezultateve zgjedhore ushtronte njëkohësisht mandatin e deputetit dhe funksionin e ministrit në detyrë.

Sipas IKD-së, ky rast përbën një standard të rëndësishëm për situatën aktuale dhe tregon se ushtrimi i kompetencave ekzekutive nga një deputet pas certifikimit të rezultateve mund të jetë juridikisht i kontestueshëm.

Instituti ka paralajmëruar se vendimet e marra nga organet pa kompetencë të qartë ligjore mund të krijojnë pasoja të mëvonshme juridike dhe institucionale. Për këtë arsye, IKD kërkon respektimin strikt të Kushtetutës dhe ligjeve, duke argumentuar se as interesi publik dhe as nevoja për funksionimin e shtetit nuk mund të përdoren si arsyetim për tejkalimin e kompetencave.