Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit duon artistike etnomuzikore “Dina e Mel”, të përbërë nga Dina Bushiq dhe Melita Ivkoviq.
Takimi vjen pas paraqitjes së dy artisteve në festivalin “Ditët e Shqiptarit” në Gjakovë, më 8 gusht, ku ato sollën tingujt tradicionalë të arbëneshëve të Zarës.
Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit i ka falënderuar Bushiq dhe Ivkoviq për kontributin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë arbëneshe.
Sipas tij, puna e tyre përfshin hulumtimin, ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, muzikës, kulturës dhe trashëgimisë së arbëneshëve.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për mënyrat e zhvillimit të mëtejshëm të kësaj trashëgimie kulturore, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.
Kurti ka theksuar rëndësinë e lidhjeve kulturore mes dy vendeve, veçanërisht në ruajtjen e identitetit dhe traditave arbëneshe që vazhdojnë të ruhen në Zarë të Kroacisë.
Sipas tij, trashëgimia arbëneshe përbën një pjesë të rëndësishme të lidhjeve historike dhe kulturore shqiptaro-kroate, ndërsa bashkëpunimi në këtë fushë mund të kontribuojë në promovimin e saj edhe më tej.






