Deputetët e PDK-së dhe Aleancës janë paraqitur në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe funksionalizimin e institucionit.

Deputetët e këtyre dy subjekteve politike kanë kërkuar që kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ta thërrasë vazhdimin e seancës, e cila mbetet e ndërprerë për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike.

PDK-ja ka insistuar se procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të vazhdojë dhe se deputetët duhet të jenë në sallë për ta përmbushur mandatin e tyre kushtetues.

Edhe Aleanca i është bashkuar kësaj kërkese, duke kërkuar që Kuvendi të mos mbetet i bllokuar dhe që procedurat për konstituimin e tij të vazhdojnë.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar se para vazhdimit të procedurave parlamentare duhet të arrihet një marrëveshje politike, veçanërisht për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.

Përplasjet mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së lidhur me këtë çështje kanë shoqëruar edhe ditët e fundit, ndërsa opozita vazhdon të kërkojë që seanca konstituive të rifillojë pa kushte të tjera politike.

PDK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë të jetë e pranishme në Kuvend dhe të kërkojë thirrjen e seancës. Edhe Aleanca ka deklaruar mbështetjen për këtë kërkesë.

Ngërçi institucional vazhdon ndërsa Kuvendi ende nuk është konstituuar plotësisht, duke pamundësuar edhe hapat e mëtejshëm për formimin e institucioneve të reja të vendit.